Sot, më datë 18 janar 2021, u zhvillua ceremonia virtuale e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit 'Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE)'.

Ky projekt u prezantua në dhjetor të vitit 2019 dhe u financua nga fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA II) të vitit 2015, në vazhdimësi të projektit të mëparshëm 'Identifikimi i nevojave për përafrimin e Bankës së Shqipërisë' - konceptuar dhe udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane, në partneritet me 11 banka qendrore të Bashkimit Evropian.

Projekti u zbatua nga Banka e Shqipërisë, Banka e Italisë dhe Banka e Gjermanisë, si dhe disa komponentë të caktuar të tij u zbatuan nga Banka e Francës dhe Banka Kombëtare e Rumanisë. Ai kishte si qëllim parësor, përmirësimin e praktikave të punës të Bankës së Shqipërisë dhe njëjësimin e tyre me praktikat e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, dhe falë trajnimit të ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, synoi të sjellë ekspertizën e BE-së dhe përvojën e dy prej vendeve themeluese të BE-së në dobi të sistemit bankar shqiptar, duke ndihmuar kështu në integrimin ekonomik të vendit me BE-në.

Ceremonia e përfundimit të këtij projekti, u hap nga fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Ambasadorit të BE-së, SH.T.Z. Luigi Soreca; Zëvendësguvernatorit të Bankës së Italisë, z. Daniele Franco; Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Fabrizio Bucci; Ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, SH.T.Z. Peter Zingraf.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se pavarësisht situatës së jashtëzakonshme të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19 në pjesën e parë të vitit 2020, nëpërmjet përshtatjes me mënyrën e re, atë të të punuarit në distancë, ia dolëm të përmbushnim projektin me sukses dhe në kohë.

Në vijim, Guvernatori prezantoi një panoramë të Projektit të Binjakëzimit, ku theksoi se ai përfshiu 8 departamente të Bankës së Shqipërisë, duke adresuar çështje të rëndësishme të bankingut qendror, të përmbledhura në 5 komponentë si: mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar; politika monetare dhe statistika; kontrolli i brendshëm; sistemet e pagesave; si dhe funksione të tjera, si burimet njerëzore dhe integrimi evropian.

Gjatë zbatimit të Projektit të Binjakëzimit u realizuan 105 misione, duke përfshirë 73 ekspertë të bankave qendrore në BE, si dhe një numër të konsiderueshëm punonjësish të 8 departamenteve të Bankës së Shqipërisë. Të gjitha rezultatet e planifikuara në projekt u realizuan plotësisht si dhe secili prej komponentëve të projektit u pasqyrua në një numër rezultatesh të matshme, në formën e dokumenteve rregullatore. U hartuan 29 dokumente të ndryshme, si rregullore, akte nënligjore, manuale dhe udhëzues.

Guvernatori Sejko shtoi se ndërmarrja e projekteve të tilla nënvizon qartazi angazhimin reciprok të BE-së dhe të Shqipërisë në drejtim të thellimit të proceseve integruese me objektiv kryesor përafrimin e kuadrit ligjor, rregullator dhe operacional të Bankës së Shqipërisë, me atë të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

Më tej, Guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në rrugën e saj për konvergimin e shpejtë me modelin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe u shpreh besimplotë se ky është kontributi më i mirë për vendin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian - një objektiv strategjik që e kemi përfshirë në planet tona të punës për vitin 2021 dhe më tej. 'Jam i sigurt se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë në të ardhmen dhe mbështetja e udhëheqja evropiane do të na shoqërojë në çdo hap që hedhim drejt integrimit në familjen e përbashkët evropiane.'- shtoi Guvernatori.

Në përfundim, Guvernatori shprehu falënderimet më të sinqerta për Komisionin Evropian, mbështetja e të cilit mundësoi financimin e këtij projekti, Drejtorinë e Përgjithshme të Kontraktimeve dhe Financimeve për profesionalizimin dhe angazhimin e vazhdueshëm gjatë gjithë periudhës së zbatimit të programit, Bankën e Italisë, për angazhimin e saj afatgjatë në mbështetje të institucionit tonë, Bankën e Gjermanisë, për pjesëmarrjen e saj aktive në këtë projekt dhe për rolin e saj drejtues në projektin rajonal, Bankën Kombëtare të Rumanisë dhe Bankën e Francës për përfshirjen e tyre specifike në këtë projekt dhe stafin e Bankës së Shqipërisë, i cili kapërceu vështirësitë e shkaktuara nga pandemia Covid-19, dhe ia doli ta përfundojë me sukses këtë projekt në të gjithë objektivat e tij të përcaktuar.

Ambasadorët gjatë fjalës së tyre, vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, sidomos në këto kohë të vështira të krijuara nga pandemia e Covid-19.

Ata theksuan se, nëpërmjet instrumenteve të politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol thelbësor duke ofruar në vazhdimësi stimujt e nevojshëm ekonomikë. Gjithashtu falë masave të marra nga Banka e Shqipërisë janë krijuar premisat për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese. Ndër të tjera, ata shtuan se Banka e Shqipërisë është një insitucion qe ka luajtur një rol të spikatur nëpërmjet kontributit të vazhdueshëm të dhënë në rrugën e integrimit evropian të vendit.

Në përfundim, Ambasadorët përgëzuan Bankën e Shqipërisë për përfundimin me sukses të Projektit të Binjakëzimit 'Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian' pavarësisht sfidave të vitit 2020.

Ndërsa ekspertët e Bankës së Italisë dhe të Bankës së Gjermanisë prezantuan në detaje rezultatet konkrete të detajuara të këtij projekti. Në vijim, ata vlerësuan stafin e Bankës së Shqipërisë për kontributin e vyer në këtë projekt si dhe shprehën vullnetin e tyre për bashkëpunime të tjera në të ardhmen midis bankave qendrore.

Attachments

  • Original document
  • Permalink

Disclaimer

Bank of Albania published this content on 18 January 2021 and is solely responsible for the information contained therein. Distributed by Public, unedited and unaltered, on 18 January 2021 13:03:01 UTC